Me vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e vetëqeverisjes lokale, ta kthejë atë në Kuvend për rishqyrtim, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ua ka privuar drejtpërdrejt komunave qindra mijëra euro taksë mbi pasuritë e paluajtshme, tha zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj.
Ai sqaron se nga 1 janari 2024, taksa mbi pasuritë e paluajtshme është përgjegjësi e re e komunave në masën 100% të të ardhurave. Për funksionalizimin e kësaj dispozite, ligji për financimin e vetëqeverisjes lokale duhej të harmonizohej.
“Në këtë mënyrë edhe Millatoviq, me vetëdije ose jo, ua mundësoi individëve përfitime shtesë, pasi të gjithë ata që në periudhën deri në ri-miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit, nëse shesin prona të paluajtshme nuk do të duhet të paguajnë taksa tek pushteti vendor”, thotë Gjeloshaj.
Gjithashtu, ai mendon se Millatoviq duhet t’i sqarojë publikut në interes të kujt e ka marrë një vendim të tillë pasi që ka ndikuar drejtpërdrejt tek Agjencia e Komunikimeve Elektronike, për shkak të kthimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për komunikime elektronike.
“Përfundimisht, meqenëse dy nga tre ligjet që janë kthyer në Kuvend janë nga kompetenca e ministrisë që unë drejtoj, dua të njoftoj opinionin se të gjitha vërejtjet e Millatoviqit – për të cilat ai nuk ka të drejtë, sepse si kryetar i shtetit në mënyrë antikushtetuese ka marrë kompetencat e Qeverisë, të cilat janë të pasakta dhe paraqesin një sajesë të qëllimshme për ruajtjen e karrigeve për individë dhe në dëm të funksionalitetit të shtetit”, thuhet në njoftim.
Për këto dhe raste të ngjashme, thotë Gjeloshaj, është shumë e rëndësishme që kemi kompletuar Gjykatën Kushtetuese.
“Për të mos lejuar që askush të jetë mbi shtetin, Kushtetutën – as presidenti i shtetit dhe se asnjë individ nuk mund t’u shkaktojë dëm institucioneve për interesa personale”, tha zëvendëskryeministri.