MAQEDONIA E VERIUT NË KRYE TË OSBE / PRIORITET I PRESIDENCËS, LUFTA NË UKRAINË DHE RUSIA

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se lufta në Ukrainë do të dominojë kryesimin e Maqedonisë së Veriut me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Osmani tha se komunikimi me Rusinë dhe nëse do të vendoset një dialog thelbësor, do të varet nga qëndrimi i Moskës ndaj parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së. “Ne si kryesues nuk do të lejojmë asnjë kompromis sa i përket parimeve të OSBE-së që duhet të respektohen nga Rusia”, tha Osmani në një konferencë për media teksa prezantoi prioritetet që do të jenë në fokus të kryesimit njëvjeçar të Shkupit me OSBE-në. Ai tha se aktualisht nuk ka mision të OSBE-së në Ukrainë pasi Rusia vendosi veton ndaj misionit, por Maqedonia e Veriut, sipas tij, do të duhet të gjejë një mënyrë për ta kthyer OSBE-në në Ukrainë. “Ne do të duhet të gjejmë një mënyrë se si ta rikthejmë OSBE-në në Ukrainë, si të kontribuojmë për të bërë të mundur fillimisht vendosjen e paqes dhe më pas, natyrisht, për të zbatuar paqen dhe për t’ua lehtësuar jetën njerëzve. Fokusi do të jetë në mënyrën se si do të komunikojmë me Rusinë. OSBE-ja mund të jetë aktualisht e vetmja organizatë ku ka një lloj komunikimi me Rusinë dhe ne po komunikojmë me Rusinë, megjithatë në Vjenë, por se si do të jetë qasja e Rusisë ndaj parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së”, tha Osmani. Ai theksoi se “ky mesazh i është dërguar qartë Rusisë dhe nëse vendos, t’i kthehet bashkësisë ndërkombëtare, nëse vendos t’u kthehet zotimeve dhe parimeve të bashkësisë ndërkombëtare, ndalesa e saj e parë do të jetë OSBE-ja”. Prioritet i Shkupit gjatë kryesimit të OSBE-së, do të jetë edhe forcimi i misioneve të organizatës. Nga gjithsej 12 misione të OSBE-së, theksoi Osmani, gjashtë janë në territorin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat, dy më të mëdhatë janë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Në këtë kontekst, sipas tij, “fokus i veçantë do t’i kushtohet të ashtuquajturave konflikte të ngrira, të cilat për momentin mund të jenë të qeta, por nuk dihet se kur mund të shpërthejnë”.

SHARE