Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili është miratuar në seancën e 27 dhjetorit, njoftuan nga kabineti i Gjukanoviqit. Letra e Gjukanoviqit i është dorëzuar sot kryetares së Parlamentit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq. Në njoftim thuhet se “nëse ky ligj rivotohet në plenumin parlamentar, pashmangshëm do të shënohet si një sulm i ri i llogaritur ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe sistemit të vlerave juridike të përjetshme të shoqërive të qytetëruara dhe një tjetër keqbërje politike në një sërë ndërmarrjesh legjislative jashtëzakonisht të rrezikshme të dhomës përfaqësuese dhe legjislative më të lartë malazeze, të krijuara në një situatë politike jashtëzakonisht komplekse”. Kabineti ka njoftuar se ky ligj i është dorëzuar Gjukanoviqit më 29 dhjetor. “Të nesërmen, pasi mësoi formën dhe përmbajtjen e Ligjit, duke analizuar me kujdes zgjidhjet e tij kontestuese, presidenti Gjukanoviq, për disa arsye, duke u bazuar në nenin 94, paragrafi 1 i Kushtetutës së Malit të Zi, shfrytëzoi mundësinë e krijuar me aktin më të lartë juridik – që Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale t’ia kthejë Kuvendit të Malit të Zi për rivendim”, njoftuan nga kabineti i Gjukanoviqit.