Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka paraqitur Kuvendit propozimin që gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Predrag Krstonijeviq, të zgjidhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Nga shtatë kandidatët që u paraqitën në thirrjen publike, Krstonijeviq është vlerësuar si më i përshtatshmi pas intervistave dhe analizave të detajuara të kryera nga Presidenti dhe ekipi i tij profesional. Krstonijeviq, i lindur në vitin 1981 në Plevla, ka mbi 18 vite përvojë në sistemin gjyqësor, prej të cilave më shumë se 12 vite në funksionin e gjyqtarit.
Ai ka punuar në Gjykatën Themelore të Plevlës, në avokaturë, më pas është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Themelore të Kotorrit dhe që nga viti 2022 shërben si gjyqtar i Gjykatës së Lartë në Podgoricë. Ka përfunduar të gjitha provimet profesionale dhe është specializuar në fushat e të drejtave të njeriut, praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe etikën gjyqësore.
Kabineti i Presidentit u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që të zhvillojnë konsultime të mëtejshme nëse e shohin të nevojshme, duke theksuar rëndësinë që Gjykata Kushtetuese të mos mbetet e paplotësuar.
Ata apeluan që Kuvendi ta vendosë sa më shpejt propozimin në rend dite dhe ta mbyllë procesin me përgjegjësi dhe në interes të shtetit.









