BISEDIMET PËR PAQE VAZHDOJNË, TENSIONET RRITEN

Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e saj të 1,379-të, ndërsa tensionet politike dhe ushtarake vazhdojnë të rriten.

Në Moskë, presidenti Vladimir Putin zhvilloi një maratonë negociatash pesë-orëshe me të dërguarin amerikan Witkoff dhe dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner. Bisedimet u cilësuan “produktive” nga pala ruse, por pa rezultate konkrete.

Putin akuzoi vendet evropiane se po “përpiqen të sabotojnë” përpjekjet e SHBA-së për një marrëveshje paqeje, duke deklaruar se Rusia “nuk kërkon luftë me Evropën, por është e gatshme nëse detyrohet”.

Të dërguarit amerikanë pritet të takohen sot me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shprehu shqetësimin se pa progres të prekshëm, SHBA mund të humbasë interesin dhe të reduktojë angazhimin ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, në një zhvillim paralel, Banka Qendrore Evropiane ka ngrirë asetet e Ursula von der Leyen në Moskë, duke shtuar tensionet mes BE-së dhe Rusisë.

Gjatë natës, Rusia kreu një tjetër sulm me dronë ndaj qytetit Ternivka, në rajonin Dnipropetrovsk. Sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Vladislav Gaivanenko, sulmi shkaktoi dy viktima, burra të moshës 43 dhe 50 vjeç.

Tre persona të tjerë u plagosën, përfshirë një çift 65-vjeçar në gjendje të rëndë dhe një 18-vjeçar që po trajtohet në spital në gjendje të moderuar.

Sipas autoriteteve lokale, sulmi shkaktoi edhe dëme materiale, ku një banesë private u shkatërrua pjesërisht, ndërsa garazhe dhe automjete u dëmtuan. Në zonë u raportua edhe një zjarr pas shpërthimit.

SHARE