KALLAS BISEDON ME KURTIN E VUÇIQIN PËR DIALOGUN DHE VERIUN

Foto: Kaja Kallas, platforma X

Shefja e re e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me krerët e Kosovës dhe Serbisë me të cilët ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, për sulmin në Banjskë dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.

Takimet e ndara në Bruksel mes Kallasit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.

“I takova presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti. E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, tha Kallas përmes një postimi në rrjetet sociale.

Kurti insiston në Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me Kallasin ka diskutuar për çështjen e integrimit evropian të Kosovës dhe për raportet me Serbinë fqinje, teksa tha se Kallas është “në kohën e duhur dhe në vendin e duhur”.

“Nga liderët që ka Evropa sot, besoj se zonja Kallas është në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Ne kemi shpresa të mëdha që Kosova që rajoni i Ballkanit Perëndimor do të përfitojë shumë sa i përket vlerave evropiane, demokratike, mbështetjes ekonomike e financiare dhe paqes dhe sigurisë në përgjithësi”, tha Kurti pas takimit.

Kurti tha për gazetarët se ka kërkuar nga strukturat e reja të Komisionit Evropian që të insistojë në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, të arritur vitin e kaluar dhe të mos e harrojnë këtë marrëveshje sa herë përmendet dialogu.

Kurti tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit dhe tha se ka përsëritur kërkesën drejtuar Serbisë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Duke folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit, për të cilin Kosova e ka fajësuar Serbinë, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.

I pyetur se a ka dhënë sinjale Kallasi se si e sheh vazhdimin e dialogut, Kurti tha se ajo më shumë ka dëgjuar dhe më vonë do të shihet se si do të veprohet.

“Takimi i sotëm ka qenë më shumë për të na dëgjuar neve. Dhe do t’i dëgjojë edhe të tjerët dhe nuk ka dyshim se vitin e ardhshëm do ta intensifikojë procesin për paqe dhe integrim, duke punuar me ekipin e saj. Por, çfarë forme do të merr kjo, është vështirë të thuhet tash. Qartë, ajo po tregon përkushtimin e saj për rajon dhe kjo është shenjë e mirë edhe për Kosovën, që ka pritje nga zonja Kallas, por edhe për gjithë rajonin”, tha ai.

Kurti po ashtu tha se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja mban në fuqi ndaj Kosovës.

Vuçiq thotë se zhvilloi bisedë “të vështirë” me Kallasin

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.

Vuçiq shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.

“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiq.

SHARE