Foto: Vijesti
Sindikata e Mediave të Malit të Zi ka regjistruar nga viti 2021 deri më sot 32 incidente ndaj gazetareve femra, ndërsa vetëm gjatë vitit 2024 janë shënuar 11 sulme ndaj punonjëseve të mediave.
Në konferencën ku u prezantua hulumtimi për sigurinë e gazetareve, autorja dhe nënkryetarja e Sindikatës së Mediave të Malit të Zi, Marijana Camoviq Veliçkoviq, tha se kjo është analiza e parë e këtij lloji, e bazuar në të dhënat e bazës Safe Journalists.
Ajo theksoi se gazetaret në Mal të Zi kanë përjetuar forma të ndryshme dhune, nga sulme fizike dhe kërcënime me jetë, deri te ngacmimet dhe kërcënimet verbale, që janë më të zakonshmet.
Sipas saj, janë sulmuar si gazetaret e mediave të mëdha me seli në Podgoricë, ashtu edhe ato që punojnë në mjedise më të vogla.
Në dy vitet e fundit (2023 dhe 2024), dhuna ndaj gazetareve është rritur krahasuar me atë ndaj gazetarëve meshkuj.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në bazën SafeJournalist janë regjistruar 24 incidente, 5 me viktima meshkuj, 11 me viktima femra, dhe tetë që kanë përfshirë ekipe apo redaksi mediatike.
Gazetaret më të rrezikuara janë ato që punojnë në zona të vogla dhe merren me tema të kronikës së zezë, ndërsa më pas vijnë gazetaret e reja dhe nënat e vetme.
Ato shpesh bëhen objekt i sulmeve mizogjine dhe seksiste.
Aktualisht, tre gazetare janë nën mbrojtje të vazhdueshme policore, ndërsa mbi 60% e të punësuarve në media në Mal të Zi janë gra.










