Foto: RTNK
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka dërguar Qeverisë një paketë masash urgjente për zgjidhjen e çështjes së evidencës dhe statusit të shtetasve të huaj dhe për përmirësimin e politikës së migracionit në vend.
Ai theksoi se Mali i Zi duhet të dijë “kush po vjen dhe si të kthehen ata që kanë ikur”, duke e quajtur këtë politikë të zhvillimit, rendit dhe besimit.
Millatoviq kritikoi institucionet për mungesën e reagimit ndaj sfidave migratore dhe kërkoi hartimin e një strategie të re afatgjatë për imigracionin dhe kthimin e diasporës.
Ai paralajmëroi se, pavarësisht mungesës së përgjigjes ndaj iniciativave të mëparshme, do të vazhdojë të propozojë masa që lidhen me zhvillimin e vendit.
Presidenti vlerësoi se vendit i nevojitet një politikë migratore e përgjegjshme dhe e rregulluar, e cila të jetë e ashpër ndaj abuzimeve e kriminalitetit, por e drejtë ndaj të huajve që respektojnë ligjet dhe kontribuojnë në shoqëri.
Sipas tij, Mali i Zi aktualisht nuk ka asnjë evidencë të unifikuar të shtetasve të huaj, prandaj ai propozoi krijimin e një sistemi unik dhe të digjitalizuar të regjistrimit të të huajve, që do të lidhë të dhënat e institucioneve si Ministria e Brendshme, Policia, Agjencia e Punësimit dhe MONSTAT.
Millatoviq gjithashtu propozoi:
- që kuotat për qëndrimin e përkohshëm dhe punësimin e të huajve të caktohen çdo tremujor, në bazë të nevojave reale të ekonomisë;
- forcimin e kontrollit ndaj agjencive të ndërmjetësimit të punës, për të shmangur abuzimet në tregun e punës;
- detyrimin e punëdhënësve të huaj që, kur është e mundur, të punësojnë fillimisht punëtorë vendas.
Ai kërkoi gjithashtu ndryshime në Ligjin për shoqëritë tregtare, për të ndaluar krijimin e të ashtuquajturave “firma fantazmë”, të cilat shërbejnë si mbulesë për marrjen e lejeve të qëndrimit, duke propozuar rritjen e kapitalit themelues minimal.
Millatoviq propozoi një paketë fiskale e sociale që përfshin:
- rimbursim të TVSH-së për qytetarët që blejnë banesën e parë;
- tatim mbi apartamentet bosh dhe të pashfrytëzuara;
- tatim shtesë për pronat luksoze dhe për ata që zotërojnë disa njësi banimi.
Qëllimi, sipas tij, është të lehtësohet blerja e banesës për qytetarët vendas, të ndalohet spekulimi dhe të frenohen çmimet e larta të tregut.
Në fund, presidenti theksoi rëndësinë e angazhimit të diasporës, duke propozuar: “Obligacionin për diasporën” si instrument të ri investimi për zhvillimin e Malit të Zi dhe programin “Kthimi i dijes, përvojës dhe kapitalit”, që ofron lehtësira fiskale dhe mbështetje administrative për mërgimtarët që dëshirojnë të kthehen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Millatoviq theksoi se Mali i Zi duhet të ketë një politikë të migracionit të qartë, të qëndrueshme dhe të harmonizuar me standardet evropiane, në interes të sigurisë, ekonomisë dhe të ardhmes së vendit.










