MALI I ZI, MË I AVANCUARI NË RRUGËN DREJT BE-së: PËRPARIM NË DREJTËSI, ANTIKORRUPSION DHE LIRITË MEDIATIKE

Foto: Ilustrim

Sipas raportit vjetor të Komisionit Evropian për përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, Mali i Zi ka shënuar përparimin më të madh në rrugën drejt Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar.

Në raport thuhet se Mali i Zi është më i avancuari në procesin e anëtarësimit, pasi ka hapur të gjithë 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur shtatë prej tyre që nga fillimi i negociatave para 13 vitesh.

Komisioni Evropian vlerëson angazhimin e vazhdueshëm politik të autoriteteve malazeze ndaj objektivit strategjik të integrimit evropian, duke theksuar se kjo ka sjellë rezultate konkrete në zbatimin e reformave.

Përparim i dukshëm është arritur në reformat në drejtësi, ku janë ndërmarrë hapa për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë dhe përgjegjësinë e sistemit gjyqësor.

Po ashtu, Mali i Zi ka përmirësuar luftën kundër korrupsionit, si dhe ka shënuar progres në lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe pluralizmin.

Raporti përmend edhe rezultate në zbatimin e planeve të veprimit për zonën Shengen, si dhe në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

BE-ja i ka akorduar Malit të Zi fonde në kuadër të Planit të Rritjes, si shpërblim për përparimin në reformat dhe përmbushjen e 30 kushteve të Agjendës së Reformave. Ky plan përfshin 6 miliardë euro për vendet e rajonit me synimin për të përshpejtuar zhvillimin dhe integrimin e tyre.

Mali i Zi është gjithashtu përfshirë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), që lehtëson dhe ul kostot e transfereve në euro me 40 vende të Evropës.

Po ashtu, më 1 nëntor, Mali i Zi është ftuar t’i bashkohet Konventës për tranzit të përbashkët, e cila synon të përshpejtojë qarkullimin ndërkufitar të mallrave.

SHARE