KALLAS THIRRJE BeH-së: SHFRYTËZONI DRITAREN E MUNDËSISË QË HAPET PËR ANËTARËSIM

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas deklaroi se dritaret e BE-së për zgjerim “hapen shumë rrallë” dhe se udhëheqësit e Bosnjë e Hercegovinës (BeH) duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi, përndryshe ajo do të mbyllet përsëri, raporton Anadolu.

Kallas iu drejtua trupave të Misionit Paqeruajtës të BE-së (EUFOR) në BeH në bazën ushtarake të NATO-s në Butmir. Ajo deklaroi se EUFOR-i vazhdon të sigurojë të ardhmen e BeH dhe shtoi se kërcënimet ndaj integritetit territorial të vendit nuk mund të injorohen.

Kallas kujtoi se BE-ja ndërmerr veprime të shpejta kur shfaqen kërcënime ndaj unitetit dhe rendit kushtetues të BeH-së dhe se misioni i EUFOR-it u përforcua me trupa shtesë në mars.

“BE-ja do të vazhdojë të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për të parandaluar çdo vakum sigurie në BeH. Ne nuk do të lejojmë që historia të përsëritet”, tha kryediplomatja e BE-së.

– “Dritarja e mundësisë mbyllet përsëri”

Pranimi i BeH-së në BE do të garantonte të ardhme më të ndritur, tha Kallas duke paralajmëruar se “Dritaret e BE-së për zgjerim hapen shumë rrallë, por një dritare e tillë është e hapur tani. Udhëheqësit tuaj politikë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi. Përndryshe, kjo dritare mundësie do të mbyllet përsëri”.

Ajo potencoi se raporti vjetor mbi zgjerimin i Komisionit Evropian do të publikohet nesër. “Pres që raporti të trajtojë çështje të tilla si rekomandimet tona për vitin e ardhshëm, reformat gjyqësore, legjislacioni dhe emërimi i kryenegociatorit”, tha Kallas.

Lidhur me pyetjen për tërheqjen e forcave ndërkombëtare, Kallas tha: “Tërheqja e forcave ndërkombëtare nga terreni do të jetë e mundur kur autoritetet lokale të jenë gati të marrin vendime. Prandaj, ne po përpiqemi t’i bindim autoritetet e BeH-së se vendi u përket atyre dhe se vendimet duhet të merren prej tyre. Kjo do të eliminojë nevojën për ndërhyrje ndërkombëtare”.

SHARE