Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në seancën e sotme të Kuvendit të Malit të Zi, deputetët diskutuan mbi sfidat ekonomike me të cilat po përballet vendi.
I pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, ndërsa debatet më të nxehta u zhvilluan pas pyetjes së deputetit të PDS-së, Andrija Nikoliq, i cili kërkoi sqarime nëse qeveria ka strategji për mbrojtjen e qytetarëve nga inflacioni, e cila, sipas tij, është dyfish më e lartë se në vendet e eurozonës.
Nikoliq paralajmëroi se financat publike janë në rrezik dhe se vendi është bërë “më i shtrenjti për jetesë në rajon”. Ai kritikoi qeverinë se buxheti po shndërrohet në mjet për qëllime partiake, duke përmendur se 5.000 punonjës të rinj janë punësuar në sektorin publik në tre vjet, çka sipas tij ka ndikuar në rritjen e inflacionit.
Në përgjigje, ministri Gjeloshaj pranoi se inflacioni është më i lartë se në BE, por tha se në sektorin ushqimor nuk ka pasur rritje të madhe çmimesh gjatë dy viteve të fundit. Ai sqaroi se faktorët që kanë ndikuar në rritjen e inflacionit janë rritja e TVSH-së në turizëm, çmimet në plazhë dhe rritja e pagave, por shtoi se priten efekte pozitive ekonomike nga projektet infrastrukturore dhe zhvillimore, si investimet në autostradë, hekurudhë dhe transportin ajror me kompani ajrore me kosto të ulët.










