DUKAJ: REFORMA E ADMINISTRATËS PUBLIKE, KUSHT KYÇ PËR INTEGRIMIN EVROPIAN TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Në mbledhjen e pestë të Këshillit për Reformën e Administratës Publike, të kryesuar nga ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, u shqyrtua progresi në zbatimin e aktiviteteve kryesore të reformës administrative dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

Ministri Dukaj theksoi se reforma e administratës publike është thelbësore për modernizimin e sistemit shtetëror, duke synuar krijimin e një administrate efikase, të digjitalizuar dhe transparente, që i përgjigjet nevojave të qytetarëve, ekonomisë dhe procesit të integrimit në BE.

Ai shtoi se pa një administratë funksionale dhe profesionale nuk mund të ketë sukses reformash dhe as mbyllje të kapitujve negociues.

Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e forcimit të kapaciteteve administrative dhe u prezantuan masat e realizuara deri tani, si: përmirësimi i sistemit të punësimeve në administratë, krijimi i kushteve për futjen e kuadrit të kompetencave, nxitja e mobilitetit të brendshëm të stafit.

Këto hapa janë vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian si tregues të një qasjeje serioze dhe të përgjegjshme. Ministri paralajmëroi koordinim më të mirë ndërinstitucional në zbatimin e reformës, si dhe vlerësim të kapaciteteve të administratës lokale, për të identifikuar nevojat dhe për të zbatuar ndryshimet në mënyrë sistematike.

Në komunikatën e Ministrisë theksohet se stabiliteti afatgjatë i financave publike është parakusht për suksesin e reformës. Këshilli ndjek rregullisht progresin në këtë fushë, ndërsa në mbledhje u shqyrtua edhe informacioni mbi reformat në menaxhimin e financave publike, që synojnë rritjen e transparencës, përgjegjësisë dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike.

U nënvizua se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është mekanizmi kryesor për ndjekjen e progresit në këtë fushë. Pas takimit të ardhshëm të Grupit të Posaçëm për Reformën e Administratës Publike më 19 nëntor, do të përcaktohen konkluzione dhe detyrime të reja, që do t’i propozohen qeverisë për miratim.

Gjithashtu, Këshilli diskutoi për vlerësimin e Strategjisë së Reformës së Administratës Publike 2022–2026, që do të analizojë arritjet, efektet e masave të zbatuara dhe drejtimet e mëtejshme të zhvillimit të sistemit.

Në fund, ministri Dukaj falënderoi anëtarët e Këshillit për kontributin e tyre, duke theksuar se zbatimi i qëndrueshëm i reformave është një nga tre kushtet kryesore për rrugën evropiane të Malit të Zi dhe zhvillimin e qëndrueshëm të administratës publike.

SHARE