Të paktën 20 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti që goditi veriun e Afganistanit, thanë autoritetet lokale, duke shtuar se numri i viktimave pritet të rritet ndërsa vazhdojnë përpjekjet e shpëtimit.
Qindra të tjerë janë plagosur, sipas zyrtarëve lokalë që folën për BBC-në.
Tërmeti goditi afër qytetit Mazar-e-Sharif, një nga më të mëdhenjtë në vend, me rreth 500 mijë banorë.
Lëkundjet, me magnitudë 6.3, u regjistruan pas mesnate dhe shumë prej viktimave u kapën në gjumë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së qeverisë talebane, më shumë se 530 persona janë plagosur.
Zyrtarët rajonalë thanë për BBC se numri i të vdekurve mund të rritet, pasi vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Zëdhënësi i talebanëve, Haxhi Zaid, shkroi më herët në platformën X se “shumë njerëz janë plagosur”. Tërmeti shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, përfshirë edhe kryeqytetin Kabul, pasi linjat e energjisë nga Uzbekistani dhe Taxhikistani – furnizuesit kryesorë të Afganistanit – u dëmtuan.









