KRIVOKAPIQ: NE DUAM MARRËDHËNIE MË TË MIRA ME SERBINË

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi në Serbi paraqet një impuls pozitiv për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, por edhe një sinjal të qartë për komunitetin ndërkombëtar se ka kapacitet në rajon për të tejkaluar çështjet e mundshme të hapura përmes dialogut dhe interesit të ndërsjellë thuhet në njoftimin e Qeverisë. Krivokapiq theksoi se Mali i Zi dëshiron marrëdhënie më të mira me Serbinë dhe një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian. Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në Beograd kryeministrin e Malit të Zi dhe ka thënë se Mali i Zi është vendi më i afërt me Serbinë. Krivokapiq në takim u prit edhe nga kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq. “Ne folëm më së paku për politikën dhe më së shumti për atë që është më e rëndësishme – ekonominë dhe bashkëpunimin tone,” theksoi kryeministri. Kryeministrja e Serbisë tha se Krivokapiqit ia ka përcjellë qëndrimin e Serbisë për mbështetjen e integrimeve evropiane të Malit të Zi, si dhe se prioritet është një rajon stabil. Kryeministri Krivokapiq është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ku është theksuar se Mali i Zi dhe Republika e Serbisë kanë marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike, në bazë të të cilave ata mund të përmirësojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

SHARE