Votuesit amerikanë po dalin sot në vendvotime, në zgjedhjet më të rëndësishme në dekada. Këto zgjedhje presidenciale po zhvillohen derisa pandemia vdekjeprurëse e koronavirusit ka prekur secilën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Këtë vit, pandemia ka nxitur shkallë të paparë të votimeve të hershme, qofshin përmes postës, apo në ndonjë mënyrë tjetër, si dhe ka rritur pritshmëritë që ditë apo javë mund të kalojnë, para se të dihen rezultatet. Meqë tek amerikanët tashmë është bërë zakon publikimi i rezultateve në natën e zgjedhjeve, një shtyrje eventuale do të ishte e paprecedent. Kontrolli i Senatit po ashtu është në garë, ashtu sikurse ulëset në Dhomën e Përfaqësuesve. Presidenti aktual, Donald Trump, republikani që solli modelin e tij të konservatorizmit në Shtëpinë e Bardhë, katër vjet më parë, synon një tjetër mandat kundër ish-nënpresidentit, Joe Biden, një demokrat dhe politikan i karrierës, i cili është zotuar se do të “mposhtë pandeminë” dhe “do ta bashkojë vendin”.