Në periudhën e ardhshme, ne do të përballemi me pasoja të paparashikueshme për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të një numri të madh të qytetarëve, por edhe atyre që duhet të japin shembull me profesionin e tyre, tha ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës së Qendrës Klinike të Malit të Zi, Danijella Raoniq. Ajo paralajmëroi për situatën alarmante në Malin e Zi kur bëhet fjalë për epideminë e shkaktuar nga virusi Covid-19. Qendra Klinike e Malit të Zi dhe i gjithë sistemi shëndetësor, siç theksoi ajo, përkundër presionit të madh dhe një numri në rritje të pacientëve, arrin t’i përgjigjet të gjitha sfidave dhe të sigurojë kujdes të duhur shëndetësor për çdo pacient. “Sidoqoftë, nëse të gjithë nuk u përmbahemi masave të domosdoshme të mbrojtjes, përpjekjet e sistemit shëndetësor do të jenë të kota. Prandaj, edhe një herë i bëj thirrje të gjithë popullatës që të sillet me përgjegjësi, veçanërisht punëtorët shëndetësorë, të cilët përveç punës serioze dhe të palodhur, duhet të respektojnë absolutisht masat e përcaktuara,” tha Raoniq.