Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri, gjatë së cilës është pritur nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Vizita synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, integrimit evropian dhe shkëmbimit parlamentar.
Në deklaratën e përbashkët pas takimit zyrtar, Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria dhe Letonia gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe të qëndrueshme diplomatike, të bazuara në besim të ndërsjellë.
Ai vlerësoi bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, ku Letonia kontribuon me trupa në misionin e KFOR-it në Kosovë, ndërsa Shqipëria është e pranishme me forcat e saj në “Camp Ādaži” në Letoni.
Të dy presidentët ndanë qëndrime të përbashkëta lidhur me çështjet e sigurisë, duke dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike, kundër dezinformimit dhe kërcënimeve hibride. Gjithashtu, u rikonfirmua mbështetja e ndërsjellë për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Begaj nënvizoi përkushtimin e Shqipërisë për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE dhe rolin aktiv të vendit në nismat rajonale dhe evropiane, duke kujtuar organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë dhe pritjen e Samitit të NATO-s në vitin 2027.
Presidenti Rinkēvičs është takuar gjithashtu me Kryeministrin Edi Rama dhe ministra të kabinetit qeveritar, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit në kuadër të NATO-s dhe mbështetja që Letonia ofron për integrimin evropian të Shqipërisë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cilësoi vizitën si një moment miqësie që hap horizonte të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në takimin me Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Letonisë, si dhe nevoja për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha kyçe si integrimi evropian, siguria rajonale dhe shkëmbimi i përvojave parlamentare.