Foto: Ilustrim
Llogaritjet sindikale tregojnë se rreth 70% e qytetarëve të Malit të Zi me paga mesatare nuk mund të përballojnë shpenzimet e shportës mujore të konsumit.
Shporta sindikale për një familje prej katër anëtarësh për periudhën korrik-shtator 2025 kushton 2.075 euro, që është 60 euro më shumë se në periudhën e mëparshme. Ndërkohë, paga mesatare është 1.115 euro, çka është shumë më pak se nevojat reale të familjeve.
Sipas ekonomistit Davor Dokiq, rritja e pagave nuk po e ndjek rritjen e kostos së jetesës, ndërsa një rritje e madhe e pagave do të rrezikonte buxhetin shtetëror për shkak të shpenzimeve të larta publike dhe numrit të madh të të punësuarve në sektorin shtetëror.
Ai propozon futjen e një kartoni social, i cili do të ndihmonte grupet më të ndjeshme me subvencione për energjinë elektrike dhe ndihma të tjera mujore.
Ndërkohë, Unioni i Sindikatave të Lira, përmes përfaqësuesit Marko Subotiq, shpreh shqetësimin për thellimin e hendekut mes të ardhurave dhe kostos së jetesës, sidomos për pensionistët. Ai thekson se as dy paga mesatare nuk mjaftojnë për të mbuluar shpenzimet mujore të një familjeje.
Sindikata kërkon nga qeveria masa konkrete për përmirësimin e standardit jetësor, përfshirë kufizimin e çmimeve dhe marzhave të fitimit për produktet bazë.