MILLATOVIQ: FOKUSI I INTEGRIMIT NË BE DUHET TË JETË TE REFORMAT, JO VETËM TE FJALËT

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi gjatë Forumit “To Be Secure” (2BS) në Budva se veprimet e Qeverisë aktuale nuk janë gjithmonë në përputhje me procesin e reformave që kërkon integrimi në Bashkimin Evropian (BE).

Ai theksoi se është e nevojshme më shumë përkushtim real ndaj reformave, dhe jo vetëm deklarata për anëtarësim në BE.

Millatoviq rikujtoi se Mali i Zi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në, ka mbyllur shtatë prej tyre dhe shpreson të mbyllë disa të tjerë deri në fund të vitit, me synimin që vendi të anëtarësohet në BE deri më 2028.

Ai përmendi si progres miratimin e IBAR-it, si dhe konsolidimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë arritjen e shumicës për emërimet kyçe në gjyqësor.

Megjithatë, ai kritikoi faktin se Mali i Zi ende nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe se ligjet për qeverinë dhe parlamentin mungojnë.

Sipas tij, qeveria dhe shumica parlamentare aktuale tentojnë të kontrollojnë institucionet, përfshirë Presidencën, mediat dhe Bankën Qendrore, duke krahasuar këtë qasje me sjelljen e regjimeve të mëparshme.

Millatoviq u shpreh se anëtarësimi në BE është një vendim vizionar që kërkon investim në stabilitet dhe mirëqenie, dhe që Mali i Zi duhet të jetë shembull për vendet e tjera të rajonit, për të treguar se reformat shpërblehen.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit në NATO, duke thënë se është mënyra më efikase për të garantuar sigurinë e vendit, duke krahasuar me shtetet fqinje që ndjekin politika neutrale dhe që sipas tij, shpenzojnë më shumë për mbrojtje.

Në fund, Millatoviq foli për rëndësinë e multilateralizmit dhe rolit të OKB-së, duke thënë se pavarësisht mangësive, bota pa OKB-në do të ishte më e paqëndrueshme, dhe se të gjitha shtetet anëtare duhet të kontribuojnë për ta përmirësuar atë.

SHARE