Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Gjatë hapjes së Forumin ndërkombëtar të sigurisë “To Be Secure” (2BS) në Budva, presidenti i Aleancës Atlantike të Malit të Zi, Savo Kentera, theksoi se Ballkani Perëndimor nuk duhet të lihet në mëshirën e fatit apo aktorëve të tretë, por se Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të përshpejtojnë integrimin e rajonit.
Ai kujtoi se Mali i Zi, ndonëse shtet i vogël, është bërë vend ku diskutohen tema jo vetëm rajonale por edhe globale, veçanërisht në kontekstin e sfidave të sotme si luftërat, sulmet kibernetike dhe dezinformimi.
Kentera theksoi se Mali i Zi synon të anëtarësohet në BE deri në vitin 2028, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një çështje politike, por vizion për një shoqëri të drejtë, të lirë dhe evropiane.
Ai paralajmëroi se çdo tentativë për të bllokuar këtë rrugë do të dështojë dhe se integrimi në BE dhe NATO është zgjedhje strategjike e Malit të Zi, të cilën shteti duhet ta mbrojë me vendosmëri.
Ndërkohë, ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, vlerësoi përparimin e Malit të Zi në sundimin e ligjit dhe modernizimin e ushtrisë, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm të NATO-s.
Ajo përmendi planin e Malit të Zi për të rritur shpenzimet për mbrojtje në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, dhe rolin e rëndësishëm të vendit në sigurinë detare të Adriatikut, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të NATO-s.
Ajo theksoi se kontributi i Malit të Zi është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin dhe Evropën, por edhe për SHBA, dhe se vendi po bëhet një platformë e vërtetë për bashkëpunim brenda NATO-s.
Forumi 2BS, në edicionin e tij të 15-të, mblodhi mbi 500 pjesëmarrës dhe më shumë se 55 folës nga fusha e sigurisë globale dhe euroatlantike.
Pjesëmarrës në forum janë liderë politikë dhe diplomatë nga Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Sllovenia, Hungaria dhe institucione ndërkombëtare.
Temat kyçe të forumit janë: gjeopolitika globale dhe rajonale, siguria kibernetike dhe hibride, integrimi euroatlantik i Ballkanit, roli i NATO-s dhe BE-së në rajon, komunikimi strategjik dhe dezinformimi.
Partnerë strategjikë të forumit janë NATO dhe Ambasada e SHBA në Mal të Zi.