DUKAJ: MALI I ZI PO FITON LIGJIN E PARË PËR FUNKSIONARËT, NËPUNËSIT DHE PUNONJËSIT LOKALË

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministria e Administratës Publike ka shpallur për diskutim publik Draftin e Ligjit për funksionarët, nëpunësit dhe punonjësit lokalë – tekstin e parë normativ të këtij lloji në historinë e Malit të Zi.

“Me këtë ligj ne vazhdojmë reformën themelore të vetëqeverisjes lokale, me një qëllim të qartë: krijimin e një administrate lokale efikase, të optimizuar dhe të qëllimshme, në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të komuniteteve”, tha ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj.

Dukaj theksoi se vizioni i tyre është një administratë lokale që jo vetëm ofron shërbime cilësore, por bëhet nxitës i zhvillimit, mbështetje e besimit dhe shtyllë e shoqërisë, një administratë që tërheq dhe mban kuadrot më të rëndësishëm në mjediset e veta, që njeh vlerat e tyre dhe u jep hapësirë për të ndryshuar komunitetet për të mirë.

Sipas Dukajt, përmes hartimit të këtij ligji janë njohur specifikat e sistemit lokal, është rregulluar pozita e funksionarëve lokalë dhe shumë çështje të tjera.

“E kemi definuar menaxherin e komunës si funksionar publik sepse roli i tij në koordinimin e proceseve strategjike kyçe, si hartimi dhe zbatimi i planit strategjik të zhvillimit të komunës, transformimi digjital dhe tërheqja e fondeve nga BE-ja, kërkon një status të veçantë dhe një themel institucional më të fuqishëm; kemi harmonizuar kushtet e punësimit me nivelin shtetëror, duke siguruar standarde unike në administratën publike dhe duke eliminuar pasiguritë ligjore; kemi futur mekanizma fleksibël, si angazhimi më i thjeshtuar i policëve komunalë gjatë sezonit turistik dhe i ekspertëve për projektet e BE-së, gjë që u jep komuniteteve lokale aftësinë për të reaguar shpejt ndaj sfidave reale; kemi propozuar dhënien e bursave për kuadrot në mungesë, për të siguruar që të rinjtë më të talentuar të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre aty; kemi njohur nevojën për analiza funksionale të vendeve të punës, në mënyrë që çdo punësim të bazohet në nevoja reale dhe të dhëna të dëshmuara; kemi hapur rrugën për tregun e brendshëm të punës dhe lëvizshmëri më të madhe të nëpunësve, duke siguruar optimizimin dhe përdorimin më efikas të resurseve ekzistuese”, deklaroi Dukaj.

Dukaj theksoi se përmes këtij ligji po dërgojnë një mesazh të qartë:

“Vetëqeverisja lokale duhet të jetë mbështetje dhe partnere e qytetarëve, ekonomisë dhe shoqërisë civile. Kjo mund të arrihet vetëm me burime të fuqishme njerëzore. Ftojmë të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në diskutimin publik dhe me komentet e tyre të kontribuojnë në formësimin e zgjidhjeve që do të forcojnë themelet e një vetëqeverisjeje lokale moderne, përgjegjëse dhe evropiane në Mal të Zi”, theksoi Dukaj.

SHARE