Bashkëpunimi më i fortë rajonal dhe menaxhimi më i mirë janë çelësi për tejkalimin e sfidave dhe arritjen e zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme, dhe përfshirja është një nga faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit më të fortë ekonomik, tha guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq.
Ajo mori pjesë në forumin ekonomik rajonal të G100, Ballkan 2024, i mbajtur më 2 dhe 3 tetor në Shkup.
Ky aktivitet dy-ditor, i organizuar në bashkëpunim me UNDP-në dhe Shoqatën e Menaxherëve, mblodhi së bashku më shumë se 200 sipërmarrëse, përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, shoqërisë civile dhe akademisë nga vendet e rajonit.
“Gjatë Forumit, përmes disa paneleve, u diskutuan temat kryesore, përfshirë përfshirjen financiare, qëndrueshmërinë përmes raportimit të ESG, bashkëpunimin rajonal dhe inovacionin në biznes. Të pranishmit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja mbi strategjitë dhe iniciativat konkrete që kanë përmirësuar me sukses përfshirjen financiare, si dhe mbi praktikat më të mira të zhvillimit ekonomik”, njoftoi BQMZ.
Guvernatorja Radoviq së bashku me guvernatoren e Bankës Popullore të Maqedonisë së Veriut, Anita Angelovska Bezhoska, hapën ditën e dytë të takimit.
Guvernatorja e BQMZ theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e politikave që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në Forumin Ekonomik Botëror G100 të vitit të kaluar të mbajtur në Londër, Irena Radoviq u vlerësua për lidershipin e saj në financimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës dhe me të njëjtin rast u zgjodh udhëheqëse globale e G100 dhe kryetare e grupit “Përfshirja Financiare dhe Gatishmëria e Bordit të Korporatave”.