BEQIROVIQ DHE CVIJANOVIQ NË RRUGË PËR TË FITUAR ULËSE NË PRESIDENCËN E BOSNJËS

Pas shumicës së votave të numëruara – 84. 75 për qind – Denis Beqiroviq, kandidati boshnjak i opozitës së bashkuar, “Të bashkuar për Bosnje e Hercegovinën e lirë”, dhe Zhelka Cvijanoviq , janë në rrugë për të fituar ulëse në Presidencën trepalëshe të Bosnjës. Sipas rezultateve të fundit, Zhelko Komshiq është përpara Borjana Krishtos në garën për ulësen kroate në Presidencë. Beqiroviq, anëtar i Partisë Socialdemokrate, i cili është përkrahur nga 11 parti opozitare, ka fituar 55.78 për qind të votave, për dallim nga Bakir Izetbegoviq, partia e të cilit – Partia për Veprim Demokratik – ka qenë në pushtet prej fundit të luftës më 1996. Izetbegoviq, i cili sipas Komisionit Zgjedhor ka fituar 39.31 për qind të votave, e ka pranuar humbjen të dielën. Shtetasit e Bosnjës kanë votuar të dielën për përfaqësuesit e tyre në Presidencën trepalëshe dhe ligjvënësit në nivelet kombëtare, rajonale dhe lokale. Më shumë se 60.000 vëzhgues janë akredituar për të mbikëqyrur procesin. Sipas autoriteteve, dalja në zgjedhje ka qenë 50 për qind, apo 2 për qind më pak sesa në zgjedhjet e vitit 2018. Gara është konsideruar të jetë zhvilluar mes nacionalistëve dhe reformistëve të fokusuar në ekonomi. Zyrtarët kanë thënë se procesi zgjedhor është zhvilluar mirë, pavarësisht raportimeve për parregullsi dhe ndalim të disa personave për mashtrime zgjedhore.

SHARE