SHAHMANOVIQ NË ABU DABI: ENERGJIA, MOTORI I ZHVILLIMIT EKONOMIK TË MALIT TË ZI

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Mali i Zi ka padyshim potenciale dhe burime natyrore, por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm për kufizimet financiare. Investimet në projekte kapitale të infrastrukturës në sektorin e energjisë maten në qindra miliona euro, prandaj kërkohen partneritete të forta dhe bashkim burimesh.

„Sektorin energjetik e shohim si shansin tonë më të madh për zhvillim – si motor që mund të nxisë rritjen ekonomike, të krijojë vende të reja pune dhe të sigurojë stabilitet afatgjatë,“ deklaroi ministri i Energjisë dhe Minierave, Admir Shahmanoviq.  

Ministri Shahmanoviq u takua sot në Abu Dabi me Mohamed Jameel Al Ramahi, drejtor ekzekutiv i kompanisë Masdar, një nga liderët globalë në fushën e energjisë nga burime të rinovueshme.

“Për të realizuar këto objektiva, ne zgjedhim me kujdes partnerë strategjikë – ata që ndajnë vizionin tonë dhe janë të gatshëm të investojnë në një sektor energjetik të qëndrueshëm dhe të fuqishëm,” theksoi Shahmanoviq gjatë bisedës me përfaqësuesin e kompanisë Masdar.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e projekteve të reja në Mal të Zi.

Ministri vlerësoi se bashkëpunimi i deritanishëm me Masdar, përmes ndërtimit të parqeve me erë në Krnovo, është një bazë e fortë mbi të cilën mund të ndërtohen projekte edhe më ambicioze në të ardhmen.

Drejtori i Masdar-it theksoi se kompania ka kapitalin, njohuritë dhe gatishmërinë për të zgjeruar seriozisht aktivitetet në Evropën Lindore, dhe se Mali i Zi është një nga prioritetet e tyre investuese.

Në fund, ministri Shahmanoviq theksoi se Qeveria e Malit të Zi është e përkushtuar në krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes, përmes procedurave të qarta, kuadrit rregullator stabil dhe një administrate më efikase.

Kjo, sipas tij, jo vetëm që tërheq investime të reja, por është edhe garanci që sektori energjetik do të bëhet shtylla kryesore e rritjes ekonomike dhe pavarësisë energjetike të vendit.

SHARE