SERBIA, RUSIA DHE HUNGARIA ME TUBACION TË RI NAFTE

Pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se përveç arritjes së një marrëveshjeje të re për furnizimin me gaz natyror, është diskutuar edhe ndërtimi i një tubacioni të përbashkët nafte me Hungarinë. “Falë këtij tubacioni që do të ndërtohet së bashku me Hungarinë, Serbia do të ketë mundësi të forcojë bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë. Të gjitha kompanitë ruse janë të mirëseardhura në Serbi, përfshirë ato që dëshirojnë të marrin pjesë në projekte infrastrukturore, siç janë Hekurudhat,” tha Vuçiç. Ai bëri të ditur gjithashtu se një marrëveshje e re për çmime më të favorshme të gazit rus pritet të nënshkruhet deri në fund të shtatorit. “Energjia është një temë me rëndësi jetike për ne. Pjesa më e madhe e furnizimit me gaz vjen nga Federata Ruse. I kërkova presidentit Putin një çmim më të ulët dhe sasi më të mëdha të gazit, gjë që është thelbësore për të garantuar çmime të përballueshme për qytetarët dhe një jetë normale. Pres që marrëveshja të finalizohet brenda këtij muaji,” u shpreh presidenti serb. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e zhvillimit të energjisë bërthamore në Serbi. “Biseduam edhe për energjinë bërthamore, sepse është e qartë se në 20 apo 30 vitet e ardhshme nuk do të kemi mjaftueshëm energji elektrike. Edhe pse aktualisht kemi rezerva të qymyrit, ato do të shterojnë ose do të zvogëlohen ndjeshëm. Konsumi ynë po rritet, dhe me rritjen e industrisë, kemi nevojë urgjente për burime të reja të qëndrueshme energjetike,” shtoi ai. Vuçiç theksoi se Serbia është sot i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe se do të vazhdojë të mbajë një qëndrim neutral në të ardhmen. Nga ana e tij, presidenti Putin shprehu respekt për orientimin e pavarur dhe të pavarësisë politike të Serbisë.

SHARE