Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi, në partneritet me Këshillin e Evropës dhe me mbështetjen financiare të Gjermanisë, po zbaton projektin “Parandalimi i dhunës në shkolla në Mal të Zi”, njoftoi ky institucion.
Sipas Ministrisë, qëllimi i projektit është përmirësimi i sistemit për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës, si dhe forcimi i kapaciteteve të shkollave për të reaguar në mënyrë efektive ndaj dhunës mes bashkëmoshatarëve.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe parandalimit të dhunës online, e cila është gjithnjë e më e pranishme mes fëmijëve dhe të rinjve.
“Një nga aktivitetet kyçe të projektit është zhvillimi i një hulumtimi në nivel kombëtar mbi përhapjen, format dhe shkaqet e dhunës mes nxënësve në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Mal të Zi. Ky hulumtim do të realizohet gjatë shtatorit dhe tetorit të vitit 2025 dhe do të shërbejë si bazë për përmirësime të mëtejshme të politikave dhe praktikave në këtë fushë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Gjithashtu, Ministria bën të ditur se planifikohet organizimi i gjashtë takimeve rajonale me koordinatorët e projektit nga shkollat, për të siguruar që të gjitha përgatitjet të realizohen në mënyrë cilësore.