KALLAS: BE-ja NUK PO ARRIN TA PËRDORË FUQINË GJEOPOLITIKE NË GAZA PËR SHKAK TË NDARJEVE MIDIS ANËTARËVE

Bashkimi Evropian (BE) po dështon të përdorë fuqinë e tij gjeopolitike në Gaza, pasi shtetet anëtare nuk janë të bashkuara për këtë çështje, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, raporton Anadolu.

Duke folur gjatë konferencës vjetore të Institutit të BE-së për Studime të Sigurisë (EUISS) në Bruksel, Kallas theksoi fuqinë ekonomike dhe diplomatike të BE-së, por gjithashtu preku fushat ku BE-ja nuk mund ta përdorë ndikimin e saj.

“Një shembull ku ne nuk po e përdorim fuqinë tonë gjeopolitike, sepse nuk jemi të bashkuar, është Gaza”, tha ajo.

Kallas theksoi gjithashtu se kriza humanitare në Gaza është një “test themelor” i vendosmërisë së Evropës për të mbrojtur vlerat e saj ndërkombëtarisht.

“Ne po hasim vështirësi sepse 27 shtete anëtare kanë qëndrime të ndryshme” për këtë çështje, tha ajo.

Sipas saj, BE-ja e ka ndihmuar Gazën më shumë se çdo aktor tjetër ndërkombëtar, megjithatë, ajo pranoi se “nuk është e mjaftueshme” të ndryshohet situata në terren.

“Evropa mund të përdorë forcë të plotë vetëm kur vepron së bashku”, shtoi ajo.

SHARE