IZRAELITËT PROTESTOJNË TEKSA USHTRIA SHTON SULMET NË GAZË

Qytetarët izraelitë kanë dalë në rrugët e Jerusalemit të mërkurën për ta kundërshtuar thirrjen në ushtri të dhjetëra mijëra rezervistëve për një ofensivë që është dënuar ndërkombëtarisht dhe që ka nxitur frikën në Izrael se mund t’i rrezikojë pengjet që ende po mbahen në Rripin e Gazës.

Protestuesit e akuzojnë kryeministrin e vendit, Benjamin Netanyahu, dhe kabinetin e tij, se nuk kanë arritur ta bëjnë një marrëveshje armëpushimi dhe në vend të kësaj kanë përshpejtuar pushtimin që, sipas spitaleve në Gazë, është duke e rritur dukshëm numrin e viktimave.

“Duhet të ndërmarrim veprim ekstrem që të na kujtojë dikush. Nuk ka shtet që i braktis qytetarët e vet”, tha Yael Kuperman, një protestuese pranë Knessetit, për transmetuesin publik izraelit Kan.

Izraelitët kanë protestuar shpesh gjatë luftës, duke kërkuar një marrëveshje që sjellë pengjet izraelite në shtëpitë e tyre.

Ndërkohë, zyrtarë spitalorë i thanë agjencisë së lajmeve, Associated Press, se të paktën 24 njerëz u vranë nga sulmet gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesin e së mërkurës.

Spitali Nasser tha se i pranoi 10 trupa, përfshirë një person që kërkonte ndihmë në Rafah dhe një fëmijë të vrarë nga një sulm në jug të Gazës.

Spitali Shifa tha se mori trupat e 14 personave, mes tyre dy fëmijë dhe katër gra, ndërsa Spitali Al-Quds raportoi një viktimë tjetër nga sulmet izraelite.

SHARE