Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Komisioni i tenderëve për dhënien me koncesion të aeroporteve të Malit të Zi pritet të mbajë një mbledhje të re në ditët në vijim, ku do të diskutohet nëse duhet anuluar procesi i vlerësimit të ofertave dhe cilat do të jenë hapat e mëtejshëm.
Arsyeja është qëndrimi i Komisionit Shtetëror për Koncesione, i cili ka vlerësuar se është e ligjshme dhënia e zero pikëve në vlerësimin teknik – gjë që më herët ishte kontestuar – çka tani hap çështjen e arsyeshmërisë së rivlerësimit të dytë të ofertave teknike.
Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën “Vijesti” zëvendëskryeministri dhe njëherësh kryetar i Komisionit të tenderëve, Nik Gjeloshaj.
Komisioni Shtetëror për Koncesione, duke vendosur mbi ankesën e ofertuesit të renditur i dyti – “Corporacion América Airports S.A” – ka konstatuar se Komisioni i tenderëve duhet të arsyetojë më qartë listën përfundimtare të renditjes së ofertuesve, pasi arsyetimi aktual i pikëve nuk është i mjaftueshëm dhe krijon mundësi për përcaktime subjektive, duke rrezikuar transparencën e të gjithë procesit.
“Qëllimi ynë është që sa më parë ta përfundojmë raportin me të gjitha udhëzimet dhe plotësimet e kërkuara nga Komisioni për Koncesione dhe ta dërgojmë te ministria përkatëse, sepse bëhet fjalë për një vendim me rëndësi strategjike për shtetin dhe ekonominë”, deklaroi Gjeloshaj.