Një sulm rus me raketa balistike në Ukrainë ka shkaktuar të paktën 41 të vrarë dhe 180 të plagosur.
Shifrat i ka konfirmuar edhe presidenti ukrainas Zelensky, i cili thotë se raporti paraprak sugjeron se qyteti lindor Poltava u godit nga dy raketa balistike ruse.
Ai thotë se të paktën 41 persona janë vrarë dhe 180 të plagosur, disa prej të cilëve janë nxjerrë nga rrënojat dhe janë shpëtuar.
I cituar nga BBC, Zelensky tha se raketat goditën “territorin e një institucioni arsimor dhe një spitali aty pranë”.
Një nga objektet e Institutit të Komunikimeve është shkatërruar pjesërisht, thotë ai. Ukraina prej më shumë se një jave po përballet me bombardime të shtuara ruse.
Gjeografia e goditjeve shkon nga vija e frontit lindor deri në qytetin e Lvivit, në perëndim të vendit dhe fare pranë kufirit me Poloninë.
Sulmet ruse pasuan ofensivën ukrainase në rajonin rus të Kurskut, ku Kievi kontrollon mbi 100 vendbanime dhe një territory të gjerë.
Qëllimi i ofensivës ishte tërheqja e trupave ruse nga fronti lindor, por deri më tani pa rezultate.