Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të këshillave kombëtare.
Përfaqësuesit e këshillave kombëtare shprehën pakënaqësi për shpërndarjen e fondeve për vitin 2023, duke deklaruar se në konkursin e kaluar kanë marrë rreth 20% të totalit të fondeve, duke shtuar se ky është kulmi i një padrejtësie që vazhdon prej shumë vitesh.
Përfaqësuesit e këshillave kombëtare (shqiptarë, myslimanë, serbë dhe kroatë) u pajtuan se kanë bashkëpunim të mirë me Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe se kanë mbështetjen e tyre në këtë çështje.
Ata bashkërisht deklaruan se është e nevojshme anulimi i konkursit për shpërndarjen e mjeteve të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave të Malit të Zi, për financimin e projekteve për mbështetje të aktiviteteve për vitin 2023.
Ata shtuan se është e nevojshme pjesëmarrja e përfaqësuesve të tyre në Bordin Drejtues të CEKUM-it, në Fondin për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, në ministrinë e linjës, si dhe në komisionin për vlerësimin e projekteve të Fondit.
Kryeministri Abazoviq beson se mesazhi më i mirë dhe më efektiv është fakti që të katër këshillat punojnë së bashku.
Ai konstatoi se duhet të punohet në ndryshimin e Ligjit për të drejtat dhe liritë e pakicave, i cili do të përcaktonte një model më të mirë për shpërndarjen e mjeteve.
Abazoviq theksoi se i mbështet përpjekjet e tyre për shpërndarjen e drejtë të mjeteve të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Në takim morën pjesë Faik Nika, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Sabrija Vuliq, kryetar i Këshillit të Myslimanëve të Malit të Zi, Dr. Momçilo Vuksanoviq, kryetar i Këshillit Kombëtar Serb në Mal të Zi, Zvonimir Dekoviq, kryetar i Këshillit Kroat në Mal të Zi.