Foto: Portal ETV
Sindikata e Arsimit do të organizojë të hënën një protestë përpara Ministrisë së Arsimit, nëse nuk arrihet kompromisi dhe nëse pagat e punonjësve të arsimit do të ulen, kanë bërë të ditur nga kjo organizatë sindikale.
Kryetari i Sindikatës, Radomir Bozhoviq, deklaroi në një konferencë për shtyp se këtë vendim e kanë marrë Bordi Ekzekutiv dhe Këshilli Qendror i Sindikatës.
“Nëse nuk arrihet kompromisi, dhe për ne kompromis do të thotë që të mos na ulen pagat, kemi planifikuar të hënën protestën përpara Ministrisë së Arsimit, në orën 11:00”, tha Bozhoviq.
Ai theksoi se ndjen zhgënjim për mënyrën si po trajtohen punonjësit e arsimit nga ana e shtetit.
“Shteti po shkel në mënyrë të rëndë Marrëveshjen Kolektive të Arsimit, të cilën vetë e ka hartuar”, tha Bozhoviq, duke shtuar se paga e muajit korrik për punonjësit e arsimit me shumë gjasa do të llogaritet sipas një skeme të re, pra do të ulet.
“Ende shpresojmë që arsyeja do të mbizotërojë. I bëjmë thirrje kryeministrit që të angazhohet për mbrojtjen e punonjësve të arsimit”, përfundoi Bozhoviq.