Foto: DAN
Me rastin e 249-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Xhudi Rajzing Rajnke, përcolli një mesazh të fuqishëm për lidershipin malazez, duke e krahasuar momentin aktual me atë të themeluesve të Amerikës.
Ajo theksoi se liderët e Malit të Zi kanë një mundësi unike për të treguar përkushtim të vërtetë ndaj vlerave demokratike dhe aspiratave të qytetarëve.
Rajzing Rajnke theksoi se përmbushja e obligimeve në kuadër të NATO-s, forcimi i sundimit të ligjit dhe zhvillimi i tregtisë me SHBA-në dhe Evropën nuk janë vetëm politika, por edhe dëshmi të qarta të orientimit strategjik të vendit.
Ajo vlerësoi qëndrimin e Malit të Zi në Samitin e NATO-s në Hagë, ku u konfirmua përkushtimi për forcimin e sigurisë evropiane dhe aleate.
Ajo nënvizoi se zhvillimi i mbrojtjes, sigurimi i kufijve, përforcimi i institucioneve dhe investimi në ekonomi dhe njerëz janë hapa që forcojnë jo vetëm Malin e Zi, por edhe aleancën transatlantike.
Ambasadorja përmendi disa nga arritjet e rëndësishme të vitit të fundit në marrëdhëniet SHBA–Mal i Zi, si takimi i parë ekonomik në nivel të lartë, nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e interesit të kompanive amerikane për tregun malazez.
Ajo shprehu besimin se bashkëpunimi do të thellohet më tej dhe do të sjellë investime të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Duke përkujtuar rëndësinë e 4 korrikut, Rajzing Rajnke kujtoi frymën e themeluesve amerikanë, që luftuan jo vetëm kundër padrejtësive, por për ideale të përhershme si liria, barazia dhe vetëqeverisja.
Ajo tha se e njëjta frymë e guximit dhe vizionit mund të shihet edhe në Mal të Zi sot, një vend që tashmë ka 19 vite nga shpallja e pavarësisë dhe 8 vite si anëtar i NATO-s, duke ecur me hapa të vendosur drejt Bashkimit Evropian.
“Jemi në prag të një epoke të re të miqësisë dypalëshe, të bazuar në një vizion të përbashkët për siguri, demokraci dhe partneritet ekonomik,” tha ajo.
Rajzing Rajnke përfundoi me thirrjen që fjalët të shndërrohen në vepra ashtu siç bënë dikur themeluesit amerikanë për lirinë dhe të ardhmen e kombit të tyre.