Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vazhduar takimet me përfaqësuesit e subjekteve politike në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për zhbllokimin e situatës politike në Kuvend.
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, pas takimit me presidenten, deklaroi për media se këto konsultime janë në funksion të daljes nga bllokada institucionale.
“U bëj thirrje të gjitha partive politike t’i thërrasin arsyes, t’i thërrasin mendjes së shëndoshë dhe të mundësojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe konstituimin e tij. Vetëm në këtë mënyrë do të mund ta kemi një qeveri brenda 15 ditësh,” tha ai.
Peci shtoi se ekziston paqartësi lidhur me atë se çfarë ndodh nëse Kuvendi dështon të konstituohet brenda afatit 30-ditor.
“Ekziston mundësia reale që presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim shtesë lidhur me kuptimin e afatit 30-ditor, kur dihet se në momentin e publikimit të këtij afati, tashmë kishin kaluar 30 ditë nga moskonstituimi i Kuvendit – nëse e marrim si bazë datën 15 prill, kur u bë përpjekja e parë,” tha Peci.
Osmani gjatë ditës takoi edhe përfaqësuesit e partive nga komunitetet joshumicë: kryetarin e partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq; kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka; kryetarin e Iniciativës së re Demokratike të Kosovës, Elbert Krasniqi; kryetaren e Unionit Socialdemokrat, Duda Bale; kryetaren e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi; kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha; kryetarin e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli; dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Boshnjakëve, Rasim Demiri.
Një ditë më parë, Osmani zhvilloi takime me liderët e partive kryesore: kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti; kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi; kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku; dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.