KUVENDI DËSHTON TË KONSTITUOHET PËR HERË TË 41-të, PDK DHE LDK DO T’I DREJTOHEN GJYKATËS KUSHTETUESE

Për të 41-tën herë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet. Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe udhëheqësi i saj, Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të shtunën, më 5 korrik.

Seanca e thirrur për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të vazhduar me hapat e tjerë të konstituimit nuk pati sukses, për shkak të mungesës së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Prej kohësh, partitë më të mëdha kanë kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes që Haxhiu, aktualisht ministre në detyrë e Drejtësisë, të zgjidhet në krye të Kuvendit.

Ato e kanë cilësuar Haxhiun si figurë jounifikuese dhe i kanë kërkuar Vetëvendosjes, si fituese e zgjedhjeve, të propozojë një emër tjetër.

Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje ka refuzuar të bëjë një ndryshim, duke thënë se propozimi i emrit të kryetarit është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të funksionojë pa institucione të reja, ndërsa afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i riinterpretuar nga Gjykata Kushtetuese, po shkon drejt përfundimit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bëri të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Tri vazhdimet e fundit të seancës konstituive kanë qenë shkelje e qëllimshme dhe me vetëdije e kushtetutës nga ana e kryesuesit të seancës [Avni Dehari], me instruksione të partisë së tij dhe ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq. Për këtë arsye, sot gjatë ditës do ta dorëzojmë rastin e ri në Gjykatë [Kushtetuese]”, theksoi Krasniqi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, bëri të ditur se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese por edhe Kushtetuta janë duke u shkelur në seancat e fundit”, theksoi deputeti i LDK-së, Alban Zogaj.

Një grup pjesëtarësh të organizatave të shoqërisë civile protestuan para Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste për ngërçin politik.

SHARE