Me këtë rast Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe kabineti i tij qeveritar u pritën në një ceremoni zyrtare nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, vlerësoi marrëdhëniet e mira fqinjësore me Malin e Zi, ndërsa theksoi se mes dy vendeve synohet zhvillimi i projekteve që do të forcojnë edhe më tej lidhjet, kryesisht në sektorin e turizmit.
“Sot ne jemi më të ndërlidhur se asnjë herë më parë. Është koha t’i adresojmë potencialet, të shkëmbejmë eksperienca, të bashkojmë forcat. Jo vetëm një sukses për takimin. Zhvillim të turizmit, komunikim me investitorët, e kemi dëgjuar më shumë se një herë nga ana e tyre të zgjerojmë investimet, kapacitetet ekonomike, në mënyrë që të gjithë turistët që drejtohen drejt kësaj zone, duke patur si pikë referimi Malin e Zi, të zgjerojnë kufirin”, deklaroi Rama.
Ndërsa kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviq ishte më i drejtpërdrejtë kur foli për bashkëpunimin ekonomik në terma konkretë: “Duhet të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve. Jemi të detyruar të përdorim këtë rast. Jam i mendimit se qytetarët tanë meritojnë më shumë se qorrsokakët ballkanike. Do firmosim marrëveshje për intensifikimin e luftës ndaj krimit. Duhet të përpiqemi që të rrisim bashkëpunimin ekonomik, pasi ka potencial të lartë dhe këtë duhet ta përdorim. Hapësira gjeografike na ndihmon. Pas kësaj mbledhjeje duhet të mbahet një forum biznesi”, tha Markoviq.
Me këtë rast të dy palët vlerësuan rolin e shqiptarëve të Malit të Zi, për kontributin në zhvillimin e vendeve dhe si faktor që kontribuon në proceset integruese.
Siç kumtohet nga Qeveria e Malit të Zi, Kryeministri shqiptar Edi Rama, shprehu respekt të veçantë për kryeministrin Dushko Markoviq dhe presidentin malazez Millo Gjukanoviq mbi qëndrimin e tyre ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi.
“Unë dua t’i kushtoj vëmendje respektit që keni treguat ju, presidenti malzaz Millo Gjukanoviq dhe Qeveria juaj ndaj shqiptarëve në Malin e Zi. Në mes nesh ekziston një urë historike e cila është e pazëvendësueshme, është urë e cila përfaqëson pakicat, një urë e shquar e bashkëjetesës “, deklaroi Rama.
Rama shtoi se Shqipëria, duke miratuar Ligjin për Minoritetet, u dha pakicës malazeze vlerën që u takon. Ndërkohë lidhur me këtë edhe Kryeministri malazez Dushko Markoviq tha se Shqiptarët në Mal të Zi janë qytetarë që kontribuojnë në zhvillimin e Malit të Zi dhe se janë pjesëmarrës aktivë dhe promovues të realizimit të prioriteteve strategjikë të këtij shtetit.
“ Shqiptarët në Mal të Zi, janë faktorë i stabiliteti të ndërtimit të një të ardhme më të mirë të vendit. Në të njëjtën mënyrë siç janë malazezët në Shqipëri, qytetarë që kontribuojnë në zhvillimin e saj dhe jetës politike dhe shoqërore duke ruajtur identitetin dhe traditën e vetë. Natyrisht, gjithmonë mund të kemi prirje për më mirë dhe përpjekjet e qeverive tona duhet të jenë ende të drejtuar nga realizimi i të drejtave të pakicave në përputhje me standardet ndërkombëtare”, deklaroi Markoviq.
Kryeministrat e Malit të Zi dhe Shqipërisë, Dushko Markoviq dhe Edi Rama, nga ky takim kumtuan se se të dy vendet “në mënyrë përgjegjëse do të sillen në rast të një fluksi më të madh të emigrantëve” dhe se ata nuk parashikojmë të ndërtojnë mure e as nuk do të vendosin tela me gjemba në kufij.
“Është e vërtetë që kemi evidentuar një fluks më të madh të hyrjeve ilegale nga Shqipëria, por bashkërisht do të punojmë që kufijtë tanë të jenë më të sigurtë. Mali i zi dhe Shqipëria kanë qasje të përgjegjshme, nuk ka asnjë kërcënim. Ne nuk parashikojmë as vendosjen e gardheve, as ngritjen e kampeve”, tha Kryeministri malazeze Dushko Markoviq.
Ndërsa Kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh: “Edhe ne kemi pasur oferta për të marrë gardhe dhuratë, por ne jemi popull emigrantësh. Nuk mund të jemi as vende gardhesh, as heronj që të shpëtojmë vendet e pasura nga ata që i shohin si mbetje toksike” deklaroi Rama.
Ndërkaq Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Fatmir Xhafaj dhe Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Mevlludin Nuhoxhiq, firmosën marrëveshjen për hapjen e një pike të re kufitare në Zogaj-Skje, Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar në Zogaj (Shqipëri) dhe Skje (Mali i Zi) do të jetë funksionale për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve.