Foto: AP
Të paktën 27 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit pranë një qendre shpërndarjeje ushqimi në pjesën jugore të Rripit të Gazës, thanë autoritetet lokale shëndetësore të martën.
Ushtria izraelite tha se forcat e saj hapën zjarr ndaj një grupi individësh që kishin devijuar nga rrugët e caktuara afër qendrës së shpërndarjes së ndihmave humanitare, në Rafah.
Ushtria izraelite shtoi se ende po hetonte çfarë kishte ndodhur.
Vdekjet ndodhën disa orë pasi Izraeli njoftoi se tre ushtarë izraelit ishin vrarë në luftime në pjesën veriore të Gazës, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë ofensivën kundër militantëve të Hamasit që ka shkatërruar një pjesë të madhe të enklavës.
Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet nga veriu dhe jugu i Gazës.
Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA-ja, hapi javën e kaluar qendrat e para të shpërndarjes së ndihmave me qëllim të lehtësimit të urisë së përhapur në mesin e popullsisë së rraskapitur nga lufta, shumica e të cilëve janë detyruar të braktisin shtëpitë për t’i shpëtuar luftimeve.
Plani i ndihmave i këtij fondacioni, i cili anashkalon organizatat tradicionale humanitare, është kritikuar ashpër nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të njohura humanitare që thonë se ai nuk ndjek parimet humanitare.
Grupi privat, i cili është i mbështetur nga Izraeli, tha se të martën në mëngjes kishte shpërndarë 21 kamionë me ushqim dhe se operacioni ishte zhvilluar “në mënyrë të sigurt dhe pa incidente brenda qendrës së shpërndarjes”.
Megjithatë, ka raportime të vazhdueshme për vrasje, ndërsa turma të njerëzve grumbullohen për të marrë ndihma jetike.
Të dielën, zyrtarë palestinezë dhe ndërkombëtarë raportuan se të paktën 31 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.