TËRMET NË TURQI: NJË E MITUR HUMB JETËN, DHJETËRA TË LËNDUAR NGA PANIKU

Foto: Gazeta Express

Një tërmet me magnitudë 5.8 goditi në orët e para të së martës një zonë bregdetare të Turqisë, duke shkaktuar panik te banorët.

Dhjetëra persona u lënduan pasi u hodhën nga ballkonet dhe dritaret për të shpëtuar, ndërsa një vajzë 14 vjeçe ndërroi jetë pasi u dërgua në spital.

Autoritetet nuk raportojnë për dëme të konsiderueshme materiale.

Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave bëri të ditur se tërmeti ndodhi në orën 02:17 të mëngjesit dhe kishte epiqendrën në Detin Mesdhe, pranë qytetit turistik Marmaris.

Lëkundjet u ndjenë edhe në rajone përreth, përfshirë ishullin grek Rodos, duke zgjuar banorët nga gjumi.

Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, njoftoi se 14-vjeçja vdiq në spital, si pasojë e një krize ankthi. Nuk dihet nëse ajo vuante nga ndonjë sëmundje paraprake.

Ai shtoi se afro 70 persona të tjerë janë lënduar duke u hedhur nga lartësitë për shkak të frikës. Nuk janë raportuar dëmtime në ndërtesa.

Në ishullin Rodos, banorët dhe turistët kaluan disa orë jashtë banesave e hoteleve, por autoritetet greke thanë se dëmet ishin të vogla.

Sipas Efthymios Lekkas, drejtues i Organizatës Greke për Planifikim dhe Mbrojtje nga Tërmetet, epiqendra ishte në një thellësi prej 60 kilometrash, gjë që shpjegon pse nuk pati pasoja të mëdha në sipërfaqe.

“Edhe pse u ndje në një zonë të gjerë, nuk pritet të ketë ndikim serioz në terren”, tha ai për televizionin shtetëror grek.

Turqia ndodhet në një zonë me rrezik të lartë sizmik dhe lëkundjet janë të shpeshta.

Në shkurt të vitit 2023, një tërmet katastrofik me magnitudë 7.8 shkaktoi mbi 53 mijë viktima në Turqi dhe shkatërroi ose dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa në 11 provinca jugore.

Në Siri, humbën jetën edhe rreth 6 mijë persona të tjerë.

SHARE