PRESIDENTJA E PARLAMENTIT EVROPIAN: SITUATA NË GAZA ËSHTË KATASTROFIKE

Foto: AA

Presidentja e Parlamentit Evropian (PE), Roberta Metsola, bëri thirrje për akses urgjent humanitar në Gaza, duke theksuar kushtet e tmerrshme në terren dhe duke përsëritur nevojën për një armëpushim të përhershëm, transmeton Anadolu.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren daneze, Mette Frederiksen, pas takimit, Metsola e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “katastrofike”.

“Situata në Gaza është katastrofike. Kemi fëmijë, gra dhe burra që vdesin çdo ditë. Dhe ne, si kontribuuesi numër një i ndihmës humanitare, duhet të pyesim se ku po shkon kjo ndihmë dhe si do të shkojë tek njerëzit që kanë më shumë nevojë për të”, tha ajo.

Metsola nënvizoi qëndrimin e hershëm të PE-së që bën thirrje për një armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe rëndësinë e përparimit drejt një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

Ajo riafirmoi se BE-ja “nuk do të hezitojë” të adresojë bombardimet pa dallim të civilëve, duke shtuar se Marrëveshja e Asociimit BE-Izrael që po shqyrtohet do të pasqyrojë këto shqetësime.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për një armëpushim, Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë shkatërruese në Gaza që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë gati 54.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Agjencitë e ndihmës kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë midis më shumë se 2 milionë banorëve të enklavës.

SHARE