DUKAJ: DECENTRALIZIMI NË MAL TË ZI DUHET TË PËRMIRËSOHET

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Decentralizimi në Mal të Zi duhet të përmirësohet dhe në këtë drejtim është përgatitur Ligji i ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili gëzon mbështetje të gjerë dhe së shpejti do të kalojë në procedurë parlamentare – çka, sipas ministrit të Administratës Publike, Marash Dukaj, do të hapë një kapitull të ri në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale.

Dukaj, në hapjen e konferencës “Ndërtimi i urave midis pushtetit lokal dhe atij qendror – qeverisja në shumë nivele në Ballkanin Perëndimor”, theksoi se përmirësimi i parimeve të qeverisjes së mirë në nivel lokal është një hap thelbësor drejt një sistemi më efikas, më transparent dhe më afër qytetarëve.

“Reforma e sistemit të vetëqeverisjes lokale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Administratës Publike. Jam krenar që e kemi nisur këtë proces në mënyrë të drejtë dhe të bazuar. Qasja jonë partnere dhe sistematike na lejon të arrijmë më shpejt rezultatet më të mira – që është edhe misioni ynë,” deklaroi Dukaj.

Ai theksoi se niveli aktual i decentralizimit në Mal të Zi është shumë i kufizuar dhe nuk mundëson funksionalitet të plotë të vetëqeverisjes lokale.

“Mesazhi është i qartë: decentralizimi në Mal të Zi duhet të përmirësohet. Në këtë drejtim, kemi përgatitur Ligjin e ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili paraqet një reformë të menduar me kujdes dhe të përshtatur me specifikat e Malit të Zi,” tha ai, duke shtuar se ky ligj nuk ofron një model universal decentralizimi, por një model funksional që i përgjigjet nevojave reale dhe kapaciteteve të ndryshme të komuniteteve lokale.

Dukaj theksoi se procesi i përgatitjes së ligjit është bazuar në konceptin e decentralizimit asimetrik.

“Kemi përcaktuar me kujdes kriteret për dhënien e statusit të qytetit dhe për ndarjen e kompetencave brenda qyteteve. Në këtë mënyrë po vendosim themelet për një sistem vetëqeverisjeje lokale ku autoritetet lokale kanë jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur në mënyrë cilësore nevojave të qytetarëve të tyre,” tha ai.

Sipas tij, procesi ka qenë jashtëzakonisht gjithëpërfshirës dhe transparent, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, sektorit civil, institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Reforma e propozuar ka gjetur mbështetje të gjerë dhe Dukaj është i bindur se së shpejti ligji do të hyjë në procedurë parlamentare.

“Kështu do të hapim një kapitull të ri në zhvillimin e vetëqeverisjes lokale në Mal të Zi. Kjo është një reformë e administratës publike që nuk guxon të jetë kompromis apo improvizim, por një hap strategjik drejt një administrate moderne, të përgjegjshme dhe më afër qytetarit,” theksoi ai.

SHARE