Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Në Parlamentin e Malit të Zi vazhdoi debati i nxehtë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq dhe për marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sot në Kuvendin e Malit të Zi u zhvillua një seancë e tensionuar, ku kryefjala ishte iniciativa për shkarkimin e kryetarit të Parlamentit, Andrija Mandiq.
Mandiq nuk ka mundur të kryesojë mbledhjen, pasi shkarkimi i tij ishte pikë kryesore në rendin e ditës.
Kryesimin e seancës e mori zv/kryetarja Zdenka Popoviq.
Debati u ndez nga akuza të ashpra për lidhje të Mandiqit dhe aleatëve të tij me shërbimet serbe, si dhe rreth kërcënimeve që u drejtuan ndaj deputetëve të opozitës.
Deputetët e PDS-së dhe të opozitës kritikuan ashpër shumicën dhe Mandiqin për mungesë përgjegjshmërie në rastin e tentativës së vrasjes së një anëtari të sigurimit të tij, duke vënë në pikëpyetje integritetin e institucioneve.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e shumicës mbrojtën pozicionin e tyre, duke theksuar progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian dhe stabilitetin që po ruhet në vend.
Ata hodhën poshtë akuza të ndryshme dhe e quajtën iniciativën për shkarkim si manovër politike të opozitës për të dobësuar koalicionin aktual.
Gjatë debatit, u diskutua edhe për marrëveshjen e rikthyer në Parlament me Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila kishte shkaktuar polemika të shumta më parë.
Tema e identiteteve etnike dhe ndikimi i politikave serbe në vend sollën debate të forta midis deputetëve.
Tensionet politike në Mal të Zi mbeten të larta, duke reflektuar ndarjet e thella që vazhdojnë të ndikojnë në proceset vendimmarrëse në vend.