PËRVOJA E KOSOVËS E RËNDËSISHME PËR ZHVILLIMIN DIXHITAL TË MALIT TË ZI

Përvoja e Kosovës në fushën e zhvillimit të e-Qeverisë dhe digjitalizimit është shumë e rëndësishme për Malin e Zi në rrugën e zhvillimit digjital, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj.

Dukaj e tha këtë në takimin me ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Arijana Zherka Hoxha. Sipas Ministrisë së Administratës Publike, Dukaj e ka njoftuar Zherkën për prioritetet në punën e Ministrisë në kuadër të digjitalizimit dhe reformës së administratës publike, si dhe përmirësimin e shërbimeve që administrata publike ofron për qytetarët. Ai theksoi se modelet e bashkëpunimit në atë fushë duhet të njihen dhe të përcaktohen, si bazë për shkëmbimin e praktikave më të mira. Ambasadorja Zherka Hoxha, siç thuhet, ka uruar Dukajn për marrjen e detyrës, duke i uruar suksese në punën e tij. Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore mes dy vendeve dhe një perspektivë të përbashkët evropiane. “Mund të llogaritni në ndihmën dhe përvojën tonë, veçanërisht në fushën e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët, dhe transferimin e përvojës në fushën e zhvillimit të TIK-ut dhe e-Qeverisjes”, tha ambasadorja Zherka Hoxha. Dukaj dhe Zherka Hoxha vunë në dukje sfidat që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës publike, reformat në fushën e dixhitalizimit dhe decentralizimit të vetëqeverisjes lokale. “U konstatua se ambasada dhe Ministria do të bashkëpunojnë ngushtë në përgatitjen e pjesëmarrjes së Malit të Zi në Samitin e ardhshëm Dixhital që do të mbahet në Kosovë”, thuhet në komunikatë. Kjo do të jetë një mundësi për përfaqësuesit e Ministrisë që të takohen në nivel bilateral me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të kompanive që udhëheqin projekte shumë të suksesshme në fushën e dixhitalizimit. “Të dyja palët shprehën pritjen që bashkëpunimi ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, përmes zbatimit të programeve dhe projekteve të përbashkëta në fushën e administratës shtetërore, lokale, elektronike dhe sigurisë së informacionit”, thuhet në deklaratë.

SHARE