KRYEMINISTRI I KOSOVËS REFUZON PJESËMARRJEN NË TAKIMIN E RADHËS TË NISMËS “BALLKANI I HAPUR”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur, që pritet të mbahet në Ohër, në datat 7 dhe 8 qershor 2022. Në letrën e Kurtit drejtuar kryeministrit Kovaçevski, ai shprehet se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit, i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian. Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon. “Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, shkroi Kurti. Kurti thotë se vlerat dhe aspiratat e përbashkëta arrihen në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku shtetet operojnë me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian.

SHARE