TË SHTËNA ME ARMË NË NJË SHKOLLË FILLORE NË BEOGRAD, 9 TË VDEKUR

Një masakër me armë në një shkollë 8-vjeçare tronditi mëngjesin e kësaj të mërkure, Beogradin.

Një 14-vjeçar qëlloi për vdekje me pistoletën e të atit, 8 nxënës dhe rojen e shkollës „Vladislav Ribnikar“, në lagjen Vraçar.

5 nxënës dhe 1 mësues mbetën të plagosur.

Sipas mediave serbe, pasi hyri në klasë 14-vjeçari qëlloi fillimisht ndaj mësueses së tij, e cila mori plagë prej të cilave po kurohet aktualisht në spital në gjendje të rëndë.

Më pas drejtoi armën dhe qëlloi ndaj shokëve të klasës. Një pjesë e tyre u ulën poshtë tavolinave për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave.

Më pas autori u përball me rojen e shkollës, të cilin e qëlloi për vdekje teksa përpiqej ta ndalonte.

Ai ra në pranga, pasi policia ndërhyri për ta arrestuar në oborrin e shkollës.

Ministri serb i Arsimit, Branko Ruzhiq ka konfirmuar sot se Qeveria ka vendosur të shpallë 3 ditë zie në Serbi për shkak të tragjedisë në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd.

“Të gjitha forcat policore ende janë në terren dhe janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e të gjitha shkaqeve dhe rrethanave që kanë çuar deri te kjo tragjedi”, thuhet në deklaratën e MPB të Serbisë.

Ndërkohë telegrame ngushëllimi kanë dërguar kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq si dhe kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi Danijela Gjuroviq.  

“Mali i Zi bashkëndjenë me popullin për tragjedinë e tmerrshme në Beograd. I gjithë rajoni u trondit nga lajmi i hidhur për tragjedinë e tmerrshme që ndodhi në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, ka shkruar kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq në Twitter.

Ai i uroi të lënduarve shërim të shpejtë.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka dërguar ngushëllimet e tij për familjet e të vrarëve nga të shtënat në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd.

“Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjet e nëntë jetëve të humbura, tetë prej të cilave ishin fëmijë, në tragjedinë e tmerrshme që ndodhi mëngjesin e sotëm”, ka shkruar Millatoviq në Twitter.

Ai i uroi të lënduarve shërim të shpejtë.

“Mendimet e Malit të Zi janë me Serbinë dhe popullin e saj”, tha Millatoviq.

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, njoftoi se me pikëllim të thellë mori lajmin për të shtënat tragjike në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” në Beograd.

“Në emër të Kuvendit dhe në emrin tim personal u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Mendimet tona janë me të lënduarit dhe i urojmë shërim të shpejtë dhe të suksesshëm”, ka shkruar Gjuroviq në Twitter.

SHARE