Sasia e Duhur e Ujit që Duhet për të Përgatitur Gjellët Perfekte

Përgatitja e gjellëve të shijshme është mjeshtëri me të cilët çdo amvisë krenohet.

Por shpesh herë ndodh që gjella që kemi planifikuar për të përgatitur nuk del ashtu siç duhet.

Ndonjëherë shumë e ujshme, ndonjëherë e thatë, e ndonjëherë përbërësit të papërgatitur siç duhet.

Gjithçka ka të bëjë me sasinë e ujit që përdoret gjatë përgatitjes së gjellës.

AgroWeb.org ju sjell më poshtë disa sekrete të vogla të cilat do t’ju ndihmojnë të përgatisni në çdo kohë gjellë më të shijshme.

Si fillim, duhet të dini që sasia e uji varet gjithmonë nga sasia e përbërësve me të cilët do përgatisni gjellën.

Për Gjellët me Pak Lëng

Turlia, çomleku, apo gjellë të ndryshme të cilat përgatiten me pak lëng kërkojnë një sasi më të pakët uji.

Sekreti që duhet të dini është se në çdo rast, pasi perimet apo përbërësit me të cilët do përgatisni gjellët i keni vendosur në tenxhere sasia e ujit që duhet të shtoni duhet të jetë 1 centimetër poshtë sipërfaqes së përbërësve.

Gjellën lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë derisa përbërësit të zbuten dhe të mbetet shumë pak lëng.

Të njëjtin truk përdorni edhe në përgatitjen e tavave të ndryshme me perime.

Pasi të keni shtruar perimet në tavë, sasia e ujit që hidhni duhet të jetë 1 centimetër poshtë sipërfaqes së përbërësve.

Për Gjellët me Lëng

Për gjellët e lëngshme sasia e ujit duhet të jetë pak më e lartë.

Në këtë rast, pasi të keni vendosur përbërësit në tenxhere sasia e ujit që duhet të hidhni duhet të jetë 2-3 centimetra mbi sipërfaqen e përbërësve.

Edhe në këtë rast, gjellën lëreni të ziejë në zjarr të ngadaltë derisa përbërësit të zbuten dhe lëngu i gjellës të prekë sipërfaqen e përbërësve.

Ky është rasti i ëprgatitjes së gjellës me patate, me perime, me bamje, por edhe me perime të tjera të ndryshme./AgroWeb.org

SHARE