Organizata Gazetarët Pa Kufij shprehu shqetësim për gjendjen e lirisë së mediave, duke përmendur si arsye kryesore për keqësimin e situatës: luftën e Rusisë në Ukrainë, shtypjen dhe persekutimin e gazetarëve, si dhe kërcënimet nga përmbajtja e rreme dhe propaganda.
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i organizatës Gazetarët Pa Kufij u publikua të mërkurën, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Ai arrin në përfundimin se situata është “shumë e keqe” në 31 vende, “e keqe” në 42 vende, “problematike” në 55 dhe “e mirë” ose “mjaft e mirë” në 52 vende. Kjo do të thotë se mjedisi për gazetarinë është i keq në shtatë nga dhjetë vende, dhe i kënaqshëm vetëm në tri nga dhjetë vende.
Organizata Gazetarët Pa Kufij i radhiti Kosovën dhe Shqipërinë në mesin e vendeve problematike.
Megjithatë, sipas indeksit që u publikua të mërkurën, të dyja vendet kanë shënuar rritje në krahasim me një vit më parë.
Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar, kur radhitej në vendin e 61-të.
Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë, kur radhitej e 103-a.