PUTIN URDHËRON SANKSIONE HAKMARRËSE KUNDËR PERËNDIMIT

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nënshkroi një dekret për sanksione ekonomike hakmarrëse kundër Perëndimit. Dekreti vjen në përgjigje të “veprimeve jomiqësore të disa shteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare”, tha Kremlini të martën. Dokumenti nuk jep asnjë detaj se cilët individë ose subjekte mund të preken nga masat. Sipas dekretit, Rusia do të ndalojë eksportin e produkteve dhe lëndëve të para për njerëzit dhe subjektet që sanksionon. Dekreti gjithashtu ndalon transaksionet me individë dhe kompani të huaja të sanksionuara dhe u lejon palëve ruse të mos i përmbushin detyrimet ndaj tyre. Sipas dekretit, Qeveria ruse ka dhjetë ditë kohë për të hartuar listat e individëve dhe të kompanive të huaja që do të sanksionohen. Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike kundër Rusisë, pasi kjo e fundit ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, më 24 shkurt. Mes tjerash, vendet perëndimore kanë ngrirë asetet e Bankës Qendrore Ruse, kanë bllokuar disa banka ruse nga sistemi i pagesave SWIFT, kanë mbyllur hapësirën ajrore për avionët rusë, u kanë ngrirë pasurinë mbi 1,000 individëve, përfshirë zyrtarë të Kremlinit dhe oligarkë. Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar, po ashtu, importin e naftës dhe të gazit rus.

SHARE