JO MË NAFTË NGA RUSIA / BE PËRGATIT SANKSIONET E REJA MBI MOSKËN

Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë sanksione ndaj importeve të naftës ruse për shkak të sulmit në Ukrainë pas një ndryshimi të madh të hënën të pozicionit të Gjermanisë, që mund t’i heqë Moskës një burim të madh të ardhurash brenda disa ditësh. Komisioni Evropian pritet të propozojë një paketë të gjashtë sanksionesh këtë javë, përfshirë një embargo të mundshme për blerjen e naftës ruse. Të hënën zyrtarët gjermanë bënë të ditur se vendi i tyre ishte i gatshëm të mbështeste një embargo të menjëhershme të naftës ruse, nga ana e Bashkimit Evropian. Gjermania është vendi me konsumin më të madh të produkteve të energjisë së Moskës. Eksportet ruse të energjisë, burimi më i madh i të ardhurave të Moskës, deri më tani janë përjashtuar kryesisht nga sanksionet ndërkombëtare lidhur me luftën në Ukrainë. Kievi thotë se kjo nënkupton se vendet evropiane po financojnë luftën e Kremlinit, duke i dërguar Moskës me qindra miliona euro çdo ditë. “Ia kemi dalë të mbërrijmë në një situatë ku Gjermania është në gjendje ta përballojë një embargo nafte”, tha ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck të hënën në Bruksel, ku u takua me kolegët e tij të BE-së. “Kjo nuk do të thotë se do të jetë një vendim pa pasoja”, shtoi ai. Kancelari Olaf Scholz, i cili ka qenë më i kujdesshëm se udhëheqësit e tjerë perëndimorë në mbështetjen që i ka dhënë Ukrainës, ka qenë nën një trysni në rritje për të mbajtur një qëndrim më të ashpër, përfshirë edhe nga vetë anëtarët e koalicionit të tij qeverisës. Në një intervistë të transmetuar të hënën, Scholz tha se sanksionet do të mbeten në fuqi derisa Presidenti rus Vladimir Putin të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Ukrainën.

SHARE