Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Shëndetësisë së Malit të Zi, dr. Vojisllav Shimun, së bashku me drejtoreshën e Institutit për Transfuzionin e Gjakut, dr. Marina Sekulliq, dhe sekretarin shtetëror Rusmir Xhuxheviq, prezantuan një transfuziomobil – një automjet modern i specializuar për mbledhjen e gjakut në terren.
Ky mjet konsiderohet një hap i rëndësishëm në zhvillimin e sistemit të dhurimit vullnetar të gjakut dhe në përmirësimin e kapaciteteve të sistemit shëndetësor. Ai do të mundësojë organizimin më të lehtë të aksioneve për dhurim gjaku në të gjithë vendin, veçanërisht në zonat më të largëta ose komunat pa shërbime të zhvilluara të transfuzionit, duke e bërë procesin më të thjeshtë dhe më të qasshëm për qytetarët.
Ministri Shimun theksoi se transfuziomobili jo vetëm që rrit aksesin për dhurimin e gjakut, por gjithashtu shërben si simbol i solidaritetit dhe humanizmit, duke ndihmuar në rritjen e vetëdijes, sidomos tek të rinjtë. Ai përmendi gjithashtu investime prej rreth 1.1 milion euro në pajisje moderne për zhvillimin e institucionit të transfuzionit.
Autoritetet theksuan se sigurimi i rezervave të qëndrueshme të gjakut është prioritet kyç, duke qenë se gjaku është i domosdoshëm për trajtime mjekësore, ndërhyrje kirurgjikale dhe raste emergjente.
Gjithashtu u theksua nevoja për rritjen e nivelit të dhurimit vullnetar, i cili aktualisht nuk e arrin standardin e rekomanduar prej 4% të popullsisë.










