QEVERIA E KOSOVËS MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR ÇMIMET TAVAN DHE ATË PËR SIGURIMET SHËNDETËSORE

Kabineti i kryeministrit Albin Kurti i ka kaluar të premten projektligjet për çmimet tavan dhe për sigurimet e detyrueshme shëndetësore, të cilat duhet të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim para se të bëhen ligje.

Projektligji për çmimet tavan, i njohur si projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit të tregut, vjen po ashtu në një kohë kur rritja e madhe e çmimit të karburanteve në vend ka nxitur frikën për rritje zinxhir të çmimeve, sidomos atyre bazike.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij për këtë projektligj, Kurti tha: “Po e sjellim për miratim këtë projektligj, i cili vjen si përgjigje e domosdoshme ndaj një realiteti e përvoje që qytetarët tanë e kanë përjetuar: rritje të papritura të çmimeve, paqartësi në treg dhe mungesë e mekanizmave për mbrojtje”.

Projektligji vendos një baraspeshë të domosdoshme ndërmjet funksionimit të lirë të tregut dhe përgjegjësisë së shtetit për ta mbrojtur interesin publik në situata të jashtëzakonshme, sipas Kurtit.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses. Ajo tha se projektligji i ri përcakton dy lloje të masave të përkohshme: caktimin e marzhës tregtare për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe caktimin e çmimit maksimal të lejuar për produktet bazë.

Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në janar, pasi ajo gjeti se ky ligj ishte miratuar në mënyrë jokushtetuese.

Duke e paraqitur projektligjin e ri të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo është “një nga nismat më të rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë në vendin tonë”. Ai tha se përmes këtij ligji do të themelohet një fond i sigurimit të detyrueshëm shëndetësor i Kosovës. Projektligji përfshin të gjithë popullatën e vendit, synon ofrimin e qasjes universale në shërbime themelore shëndetësore, si dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve, theksoi ai. Ai parasheh edhe rregullimin e kontributeve për sigurimin shëndetësor si burim i financimit të kujdesit shëndetësor, i cili do të jetë shtesë mbi financimin e tanishëm nga buxheti i shtetit. Kjo është një përpjekje 10-vjeçare për sjelljen e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor në vend.

SHARE